Një numër i madh qytetarësh u mblodhën të mërkurën në Mitrovicë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Oliver Ivanoviçit.

Udhëheqësi i Nismës qytetare SDP u qëllua 6 herë para zyrës së tij në veriun e Mitrovicës dhe ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra në spital.

Mijëra qytetarë i bënë nderimet e fundit arkivolit me trupin e Ivanoviç, i cili më pas u vendos një në makinë dhe nën shoqërimin e një eskorte policore u nis drejt Beogradit, ku do të varroset të enjten.

Qytetarët që kishin mbushur rrugët ku kalonte karvani funebër vendosën gjithashtu lule mbi mjetin që transportonte trupin e Ivanoviç.

Agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” raportoi se prania policore në rrugë nuk u shtua, edhe për vet faktin se rrugët ishin mbyllur për kalimin e karvanit, ndërsa një helikopter i KFOR-it u pa të fluturonte në zonë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, e cila vijon hetimin për vrasjen e Ivanoviç, tha se ka mundur që të zbulojë pronarin e makinës së djegur, që dyshohet të jetë përdorur nga vrasësit, por pa dhënë detaje.

Megjithatë, sipas agjencisë serbe “Novosti”, automjeti tip “Opel Astra” i përket një qytetari austriak me origjinë serbe, që nuk jeton më. Kjo ka bërë që të ketë spekulime për mënyrën sesi vrasësit morën makinën.

Policia, në anën tjetër, raportoi se ka informacione të reja mbi vrasjen e politikanit serb, pas marrjes në pyetje të disa dëshmitarëve, shqyrtimit të filmimeve të kamerave të sigurisë dhe informacioneve të marra përmes rrugës së komunikimit të mbrojtur.

Top Channel