Walcott lë Arsenalin për të kaluar tek Evertoni

16/01/2018 16:54

Në vitin 2006, Arsene Wenger e prezantoi si një nga futbollistët që do të shkruanin historinë e Arsenalit, ndërsa sot 12 vite më vonë, Theo Walcott mund të krenohet se bën vërtet pjesë në palmaresin e artë të klubit.

Por talenti i kombëtares angleze, gjithnjë e më shumë në hije te skuadra londineze, ka arritur një akord të papritur me Evertonin, ku kaloi me sukses vizitat mjekësore.

Në mungesë të të papriturave që rezervon merkatoja e dimrit, Theo Walcott do të prezantohet këtë javë si lojtari i ri në “Goodison Park”, në një marrëveshje që kap shifrën 20 milionë paund. Sulmuesi tashmë 28-vjeçar preferoi Evertonin kundrejt interesit të Southampton dhe Bournemouth.

Walcott largohet nga formacioni londinez pas 12 vitesh, ku shënoi 108 gola në 397 ndeshje. Sipas medieve britanike, motivi i largimit të papritur është dëshira për të bindur trajnerin e kombëtares angleze, Gareth Southgate, që ta përfshijë në ekipin që do të jetë në Botërorin e kësaj vere.

Sulmuesi bëhet përforcimi i dytë me peshë i Evertonit, pas blerjes së Cenk Tosun.

Top Channel