Heynckes ëndërron lojtarin e Guardiolës: Do të jepja gjithçka!

15/01/2018 14:13
Dikur rivalë në Bundesliga dhe në derbin e Manchesterit, De Bruyne dhe Schweinsteiger

Gjatë një interviste të gjatë dhënë për “Kicker”, trajneri i Bayern Munchen, Jupp Heynckes ka folur për merkaton, për “tripletën”, objektivat e ekipit dhe konkurrencën mes futbollistëve në skuadër. Në veçanti është ndalur te një lojtar i vetëm, për të cilin do të ishte gati të bënte gjithçka.

“Kevin de Bruyne nuk ka luajtur kaq mirë gjatë sezonit të kaluar, por për të do të shisja edhe këmishën time të fundit. De Bruyne është momentalisht futbollisti më i shkëlqyeshëm në qarkullim në Europë”, shprehet Heynckes.

Sa i përket merkatos së Bayernit në përgjithësi, ai mendon se klubi duhet të vazhdojë rrugëtimin e tij me Süle, Kimmich, Tolisso apo Coman. “Sigurisht që mund të vijë edhe ndonjë lojtar për 40-50 milionë euro, por me një shumë të tillë nuk mundesh të blesh një lojtar tipik cilësor”, shton më tej ai.

Në lidhje me “tripletat”, Heynckes është pikërisht njëri nga ata që e kanë fituar një të tillë. “Sivjet nuk jemi ne pretendentët. Janë 5 skuadra angleze, me Manchester Cityn në krye, më pas Reali dhe Barcelona, ndoshta edhe PSG-ja. Tripleta thjesht nuk mund të planifikohet, pasi është shumë e vështirë për t’u arritur”, rrëfen trajneri i kampionëve të Gjermanisë.

Objektivi real për të është kampionati. “Për mua do të ishte një sukses i madh nëse, duke parë fillimin e kampionatit dhe ndryshimin e pankinës, do të mund të fitohej kampionati. Më pas të shohim se çfarë mund të ndodhë me kompeticionet e kupave”.

Një problem më vete përbëjnë edhe kontratat e Ribery dhe Robben. “Askush nuk duhet të bëjë gabimin t’i nënvlerësojë. Të dy ata duan qartësim nga klubi dhe kanë mbështetjen time totale. Është shumë bukur fakti që ata propozohen për zgjatje kontrate. Për mua, mosha nuk është vendimtare, por performancat dhe pasioni për punën. Këto dy cilësi, ata i kanë që të dy. Arjen është një profesionist absolut, ndërsa Franck një futbollist pasionant”.

Top Channel