Dëmshpërblimi për ish të përndjekurit, mund të anulohen kompensimet për trashëgimtarët

15/01/2018 15:05

Pas shlyerjes së plotë për ish të përndjekurve që janë gjallë, Qeveria mund të anulojë kompensimet për trashëgimtarët, veçanërisht përtej brezit të parë.

“Ka një këndvështrim të ri që diskutohet brenda Qeverisë; do t’i shlyejmë të gjithë, brezi i dytë, brezi i tretë, brezi i katërt pambarim, apo do kufizohemi?!”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

Kreu i financave sqaroi dhe një tjetër çështje e cila së fundmi ka shkaktuar debat publik, kontrollet tatimore tek klubet e futbollit.

“Kur ne bëjmë planin e Tatimeve, sigurisht që ne nuk e dinim se kur do të hapeshin zgjedhjet dhe kur do të përfundonin zgjedhjet e FSHF-së. megjithatë, Kryeministri ndërhyu dhe ne e kemi zhvendosur kontrollin fiskal pasi të kenë përfunduar zgjedhjet në FSHF”, u shpreh Ahmetaj.

Por më gjatë, kreu i Financave u ndal të zhvillimet e ekonomisë. Sipas tij rritja ekonomike këtë vit parashikohet 4.2 për qind, ndërkohë që së shpejti do të nisin një sërë investimesh të mëdha nga jashtë.

“Janë disa projekte të mëdha, duke filluar që nga aeroporti i Vlorës, apo disa projekte të rëndësishme në turizëm, që pritet të fillojnë investimet gjatë fundit të vitit 2018, apo gjatë fillimit të 2019”, u shpreh kreu i Financave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA