Hyjnë në fuqi rregullat e reja të shërbimit ushtarak në Greqi, Trajnim modern dhe kushte të përmirësuara Irani reagoi ashpër ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për t’i vendosur sanksione kreut të tij të gjyqësorit, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shkelje të vijave të kuqe”.
Republika Islamike u zotua të hakmerret, pa sqaruar sidoqoftë se çfarë ka ndërmend të bëjë për ta vënë në jetë këtë paralajmërim. Ajatollahu Sadeq Amoli-Larijani ishte në mesin e 14 individëve dhe entiteteve të shënjestruara për abuzime të pretenduara me të drejtat e njeriut. Lëvizja pasoi deklaratën e Donald Trump se do ta shtynte për të fundit herë lehtësimin e sanksioneve të plota mbi Republikën Islamike.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se po i jepte Europës dhe Amerikës një “shans të fundit” për të ndrequr “të metat e tmerrshme” që ka, sipas tij, ujdia historike e nënshkruar në vitin 2015 mbi programin bërthamor iranian. Në të kundërt, Uashingtoni do të tërhiqet prej saj brenda disa muajsh. Shtëpia e Bardhë kërkon që firmëtarët e paktit të pranojnë kufizime të përhershme lidhur me pasurimin e uraniumit nga Irani. Sipas marrëveshjes aktuale, këto kufizime duhet të përfundojnë në vitin 2025.
Deklarata e Trumpit i vë para një trysnie të madhe Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, vendet evropiane nënshkruese të paktit nuklear. Teherani vetë e ka bërë të qartë se nuk është i interesuar për një rinegocim të marrëveshjes. Sanksionet që shtyu Presidenti Trump kanë të bëjnë me Bankën Qendrore të Iranit. Ato e shkëputnin regjimin e ajatollahëve nga sistemi financiar ndërkombëtar, deri kur u pezulluan nga ish-Presidenti Obama.
Top Channel