Pagesa që ish-ndërtuesit dhe pronarët e apartamenteve që u shkatërrua në vitin 2013 në Vlorë është 16 milionë e 800 mijë euro.
Gjykata e Strasburgut ka zbardhur bashkë me vendimin që dënon shtetin shqiptar, edhe tabelat e pagesave. Pagesa fillestare është 14.2 milionë euro, por është marrë parasysh inflacioni dhe interesi për katër vite, duke e rritur shifrën.
Përfitues janë 18 persona, 16 prej të cilëve pronarë me nga një apartament dhe që do të marrin nga 90 deri në 200 mijë euro si dëmshpërblim.
Përfituesit kryesorë janë dy shtetas. Xhaferr Isufi, vjehrri i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pronar i vetëm në 35 apartamente e ambiente do të përfitojë 6.2 milionë euro. Por ai, do të kompensohet deri në gjysmën e vlerës prej 7.2 milionë euro për 25 prona që i ka në bashkëpronësi me shtetasin Xhuvi Sharxhi.
Në total Xhafert Isufi përfiton rreth 9.8 milionë euro. Në vendimin e Gjykatës citohet një intervistë e Ylli Manjanit dhënë për Top Channel, atëkohë zv.ministër i Transporteve dhe Infrastrukturës, që shpjegonte parregullësitë e dhënies së lejes së ndërtimit për këtë pallat.
“Është një pasojë e një morie pavlefshmërie absolute, e një morie shkeljesh flagrante të ligjit shqiptar”, deklaronte Manjani në atë kohë.
Juristja Erinda Ballanca, në atë kohë si e dëmtuar kishte këtë reagim.
“Pavlefshmërinë nuk e gjykon një organ i administratës shtetërore, siç është zoti Manjani, sot, apo edhe INUK-u”, deklaronte Ballanca.
Me ankesën se vendimet e gjykatave shqiptare nuk respektoheshin, pronarët e apartamenteve dhe ndërtuesit, me ndihmën e një avokati italian paditën qeverinë shqiptare më 10 shkurt të vitit 2016.
Seanca e pare publike e gjyqit është realizuar më 23 maj të vitit 2017, një javë pas marrëveshjes Rama-Basha, që çoi në mbylljen e çadrës së protestës.
Në gjyq përballën qëndrimet e tyre përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë shqiptare, drejtuar nga avokatja e shtetit Alma Hiçka dhe avokati i palës së dëmtuar, i cili këshillohej nga juristja Erinda Ballanca, e cila në këtë kohë ishte Avokate e Popullit, sipas marrëveshjes politike mes Ramës dhe Bashës.
Gjykata e Strasburgut dëgjoi të dëmtuarit, të cilët paraqitën edhe disa vendime rresht të gjykatave shqiptare, ndërsa përfaqësuesja e qeverisë shqiptare, në maj të vitit 2017 para Gjykatës së Strasburgut se kanë dhënë shpjegime verbale, sepse çështja ishte ende në Gjykatën e Lartë dhe se kanë pranuar se ishte një ndërhyrje në të drejtat pronësore të aplikantëve për shkak të procedurës së shpronësimit.
“Fizikisht, në 600 metër/katrorë truall ne kemi 3000 metër/katrorë ndërtim si pasojë e një spektakli institucionesh totalisht të korruptuara”, deklaronte po në atë kohë, Ylli Manjani.
Këtë qëndrim përfaqësuesi i Qeverisë në vitin 2013 e kishte të qartë, por në gjyqin në Strasburg në vitin 2017, një tjetër përfaqësues i shtetit nuk e ka paraqitur, të paktën kjo duket nga vendimi përfundimtar. Pra me të tjera argumenta u prish e me të tjera u mbroj katër vjet më vonë një vendim që do t’u kushtojë shtrenjtë takspaguesve shqiptarë.
Top Channel