Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Presidentin e Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit në Itali, Raffaele Cantone. Xhafaj e njohu bashkëbiseduesin me dokumentin politik të Ministrisë së Brendshme, reformat e fundit që po ndërmerren në Policinë e Shtetit në kuadër të Vettingut në Polici dhe Policimit në Komunitet, ku veçoi asistencën e misionit europian PAMECA.
Ai e njohu me ecurinë dhe rezultatet e operacionit “Forca e Ligjit”. Ministri i Brendshëm u ndal gjithashtu tek prezantimi i nismës për Vetting-un në Polici, përmes së cilës synohet të shëndoshet organizata dhe promovohen punonjësit me integritet.
Kreu i Autoritetit Antikorrupsion në Itali theksoi rëndësinë e bashkërendimit të reformës në gjyqësor dhe reformimit të Policisë së Shtetit. Ai vlerësoi cilësinë e legjislacionit që po implementohet në Shqipëri dhe u shpreh i gatshëm për të rritur nivelin e bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme, sidomos për masat pas vënies në zbatim të procesit të Vetting-ut, për sigurimin e mekanizmave parandalues dhe garantimit të integritetit në të ardhmen të punonjësve të Policisë.
Top Channel