Miratimi nga Parlamenti maqedonas i ligjit për gjuhën shqipe është përshëndetur nga politika në Tiranë.
Ilir Meta shkruan në rrjetet sociale se lajmin e ka marrë sapo ka mbërritur në Aeroportin e Ljubljanës.
“Mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqip,. një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, thotë Meta.
Edhe Lulzim Basha ka zgjedhur rrjetet sociale për të përshëndetur këtë votim në Parlamentin e Maqedonisë.
“Është një hap i rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë. Përshëndes këtë hap si një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Vlerësoj qëndrimin e forcave politike maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni”, shkruan kreu i PD-së.
Basha thotë se Partia Demokratike nxit klimën e unitetit mes faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimit me atë politik maqedonas, si një garanci për një Maqedoni të orientuar drejt standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe europiane.
Edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, por përmes rrjeteve sociale ka përshëndetur këtë votim.
“Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët dhe hap përpara për demokratizimin e Maqedonisë. Miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje. Ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurtë euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur”, shkruan kreu i diplomacisë shqiptare.
Monika Kryemadhi e cilëson një tjetër hap emancipues shtetëror për Maqedoninë pas shpalljes festë zyrtare të Ditës së Kongresit të Manastirit.
“Heqja dorë nga tabutë, duke përfshirë heqjen dorë nga emri historik, siç deklarohet, dhe çlirimi nga frika prej gjuhës së tjetrit, përbëjnë dukuri evropianizuese të Maqedonisë fqinje, të cilën Shqipëria e njohu e para si shtet të pavarur. Të heqësh dorë nga monolinguizmi do të thotë të pranosh barazinë me tjetrin, shumicë a pakicë qoftë. Kufiri i gjuhës nuk kontrollohet nga kufiri i shtetit! Njohja dhe pranimi i këtij realiteti është progres”, thotë kryetarja e LSI-së.
Top Channel