Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj qëndroi të enjten në Tiranë, në një vizitë të panjoftuar nga autoritetet e të dyja vendeve.

Kreu i qeverisë së Prishtinës zhvilloi një takim me presidentin Ilir Meta dhe më pas me kryeministrin Edi Rama.

Haradinaj i publikoi fotot e takimeve në rrjetin social “Facebook”, ndërsa nga Presidenca dhe Kryeministria nuk pati asnjë njoftim.

Në postimin e tij, Haradinaj sqaron se në vizitën e punës kishte diskutuar me udhëheqësit e Tiranës për çështje me interes kombëtar për Kosovën dhe Shqipërinë, për zhvillimet politike dhe aktivitetet për vitin e Skënderbeut.

Por, duket se ndalesën në Tiranë, Haradinaj e ka shfrytëzuar edhe për një qëllim tjetër: marrjen e pasaportës shqiptare, për të cilën kishte aplikuar pak ditë më parë.

Haradinaj është shtetas i Shqipërisë që prej 24 prillit të kaluar, në kohën kur ishte arrestuar nga autoritetet franceze mbi bazën e një mandatarresti të lëshuar nga Serbia.

Marrja e pasaportës së Shqipërisë vjen vetëm pak ditë pasi kryeministrit të Kosovës iu refuzua viza amerikane dhe ai anuloi një vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Mosdhënia e vizës u komentua në media si lëvizje e Uashingtonit pas kundërshtisë së udhëheqësve të Kosovës për ngritjen e Gjykatës Speciale, që do të hetojë për krimet e supozuara të UÇK-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA