Albin Kurti, i vetëm në garën për kreun e Vetëvendosjes

11/01/2018 10:59

Albin Kurti është i vetëm në garën për kryetarin e Vetëvendosjes.

Në fundin e një procesi parazgjedhor të pllakosur nga mosmarrëveshje, përplasje e dorëheqje, themeluesi i kësaj lëvizjeje e kërkon sërish drejtimin e saj dhe në zgjedhjet e parashikuara të mbahen në muajin shkurt, nuk do të ketë përballë asnjë kundërshtar.

Afati i paraqitjes së kandidaturave skadoi mesnatën e së mërkurës e nuk ka të dhëna për ndonjë tentativë tjetër për të rivalizuar Kurtin në këtë garë. Timonin e Vetëvendosjes ai e la përpara tre vjetësh. Përgjatë kësaj periudhe kohe, kryesimi i partisë iu besua Visar Ymerit të dorëhequr vetëm pak ditë më parë.

Kurti ishte në paraburgim në kohën kur diskutoheshin zgjedhjet për drejtimin e partisë, por nga qelia autorizoi deputetët Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli që të mblidhnin firmat e nevojshme për të paraqitur kandidaturën e tij. Pikërisht gjatë kohës së kaluar prej tij prapa hekurave shpërthyen përplasjet e hapura brenda partisë, kur u bë publike një bisedë në Viber, në të cilën Aida Dërguti, tashmë ish-anëtare e Vetëvendosjes, përdorte fjalë fyese në drejtim të Albin Kurtit.

Kjo ishte vetëm maja e ajsbergut, që tregoi më pas sesa të thella ishin në të vërtetë ndasitë brenda kësaj force politike, të përballur sot me krizën më të rëndë që prej formimit të saj. Vetëvendosja u themelua në vitin 2004 nga Kurti.

Deri në vitin 2010, kur u përfshi për herë të parë në zgjedhje për pushtetin qendror, përmes protestave dhe aksioneve ajo kundërshtoi fort misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverinë e vendit.

Top Channel