Ribery s’e harron: Më vodhën Topin e Artë në vitin 2013

08/01/2018 15:00

Franck Ribery nuk e ka kapërdirë ende faktin që ai nuk mundi të fitojë “Topin e Artë” në vitin 2013, edhe pse Bayern Munchen fitoi pothuajse të gjithë trofetë e atij viti.

Në një intervistë për televizionin francez “Canal Plus”, futbollisti i skuadrës bavareze foli për karrierën e tij sportive, e ceremonia e dhënies së “Topit të Artë” të 4 viteve më parë ka lënë gjurmë, pasi trofeu i shkoi pikërisht Cristiano Ronaldos.

“Topi i Artë i vitit 2013 ishte sikur të ma kishin vjedhur. Kisha mbështetjen e një pjesë të francezëve, por jo të të gjithëve. I dëgjoja vet kur njerëz, madje edhe trajnerë futbolli, thoshin se Topi i Artë duhej t’i jepej Cristiano Ronaldos. Është e paimagjinueshme të mendosh që portugezët të duan Messin si fitues të Topit të Artë, apo argjentinasit të donin Ronaldon. Në Francë kjo nuk ndodhi”, tha Ribery në intervistën e tij.

Top Channel