Skuadra e Kukësit teston ekipin ditën e sotme me kundërshtarin e parë, që është skuadra turke Kayserispor. Ekipi po stërvitet në Antalia dhe ndeshja fillon në orën 15:00.

Nën urdhrat e trajnerit të ri Pacult, ekipi kampion ka zhvilluar edhe një seancë stërvitore ditën e hënë në mëngjes, përpara ndeshjes.

Të gjithë lojtarët që kanë qenë deri në këto momente, por edhe të rinjtë janë vënë nën urdhrat e trajnerit austriak, i cili vazhdon fazën e njohjes me ekipin, për të kuptuar gjërat që nuk kanë funksionuar deri në këtë moment të kampionatit, ku Kukësi e gjen veten jashtë luftës për titull, të paktën në letër.

Gjithashtu, gjatë kësaj faze përgatitore skuadra e Kukësit ka planifikuar edhe dy ndeshje të tjera miqësore, në datën 10 janar me Bursasporin dhe më 13 janar me Fenerbahçen.

Kundërshtarët janë emra të mëdhenj të futbollit turk dhe jo vetëm, ndaj dhe konsiderohen si kundërshtarë luksi për kampionët në fuqi.

Për momentin, në Antalia ndodhen shumë skuadra shqiptare dhe nga shtete të tjera, që shfrytëzojnë klimën më të mirë për të përgatitur vrrullin e radhës për fazat e mbetura të këtij sezoni futbollistik.

Top Channel