Juventus nis zyrtarisht bisedimet me Liverpoolin për transferimin e Emre Can për në merkaton e verës. Bepe Marota dhe Fabio Paratici preferuan të prisnin javën e pushimit në kampionat për t’i bërë të ditur Liverpoolit se ai për Emre Can është më shumë se një interes.

Sipas medias italiane Juventus është gati të përgatisë për futbollistin një kontratë 5 vjeçare me një pagë prej 5 milionë Euro në sezon shifër së cilës i bashkohen edhe bonuse të tjera.

Arsyeja që shtyn Juventusin të tentojë blerjen e mesfushorit gjerman në merkaton e verës është pikërisht Coutinho. Largimi i brazilianit në drejtim të Barcelonës bëri që drejtuesit e Liverpoolin të mbyllë dyert e merkatos përsa u përket largimeve për të evituar edhe një rebelim të madh të tifozëve, pa harruar këtu faktin se në rast transferimi në Torino në janar Emre Can nuk do të ketë mundësi të luajë në Ligën e kampioneve.

Por Emre Can nuk është i vetmi që është vënë në qendër të vëmendjes së kampionëve të Italisë. Media italiane flet për një interesim të Juventusit edhe për mesfushorin e Arsenalit Mesut Ozil. Ky i fundit është drejt mbylljes së kontratës me Topçinjtë dhe duket se është i vendosur për të mos e rinovuar atë.

Klubi londinez e ka marrë tashmë një ofertë për Ozil, atë prej 40 milionë Eurosh të Manchester United. por nëse Arsenali e refuzon atë atëherë Juventusi do të shohë t’i hapet drita e gjelbër për të hyrë në garë për shërbimet e turko-gjermanit.

Juventusi po përballet me dëmtimet e vazhdueshme të Marchisios, ndërkohë që Khedira me shumë gjasa do të shkojë në SHBA, kështu që për Zonjën e Vjetër bëhet i domosdoshëm përforcimi i repartit të mesfushës dhe ardhja e vetëm Emre can nuk është e mjaftueshme.

Top Channel