Zhgënjimi për një sezon të konsideruar në hije deri më tani tregohet fare mirë në 41 sekonda, të mjaftueshme për të përqëndruar në të, të gjithë mërzinë dhe padurimin e tij. Bëhet fjalë për një video të regjistruar nga një tifoz i gjendur në katin e parë të “San Siro”-s me tri kate, i cili dy ditë më parë e ndoqi dhe më pas e dokumentoi në rrjetet sociale daljen nga fusha të Andre Silvës.
Në 5 sekondat e para shfaqet sulmuesi portugez dhe trajneri Gattuso, i cili po përpiqej të bënte ritualin si me të gjithë futbollistët që zbritën në fushë, duke iu dhënë dorën, pas fitores së vuajtur 1-0 ndaj Crotones. Ndërsa 12 sekondat e tjera në vijim tregojnë ecjen e ngadaltë dhe me kokën poshtë të sulmuesit, i cili hedh vështrimin për pak momente ndaj shokëve të tij të skuadrës që po festonin, e më pas devijimin e tij për të vazhduar i vetëm “rrugëtimin” drejt dhomave të zhveshjes.
Motivi? Sigurisht që edhe ky mund të zbulohet fare thjesht nga pamjet “amatore”. Andre Silva mbante veshur tutën sportive të bardhë, të cilën duket se nuk e ka hequr fare nga trupi, qoftë edhe për të bërë nxehmjen si një alternativë zëvendësimi.
E ashtu siç ka ndodhur edhe në ndeshje të tjera, në 7 për saktësim, portugezi mbeti thjesht një “spektator pa pagesë”, ose e thënë ndryshe për 90 minuta në pankinë. Në 8 raste të tjera ai është futur si zëvendësues me fanellën e Milanit, ndërsa vetëm në 4 ndeshje e ka nisur si titullar. Një bilanc që i regjistron atij vetëm 536 minuta të luajtura nga 1.800 në total, rreth 30% e shprehur në përqindje, e në asnjë rast nuk ka mundur të gjejë rrugën e rrjetës: për pasojë mbetet ende me zero gola të shënuar.
Megjithatë, ndoshta ka edhe motive të tjera, përveç nevojës për të mbrojtur këtë investim, siç edhe bëri drejtori sportiv Mirabelli pas ndeshjes. Fati i Andre Silvës duket i njëjtë me atë të Kaliniç…
“Janë dy lojtarë që kanë dhënë shumë pak në kampionat, por nëse do t’i nxirrnim në merkato do të merrnim thjesht një euro më shumë a një më pak. Ndaj, problemi i zhvlerësimit nuk ekziston”, do të shprehej Mirabelli.
Motivet, në këtë aspekt, duhen gjetur diku tjetër. Andre Silva ka shënuar gola të rëndësishëm në ndeshjet e tjera që ka luajtur si titullar, mes kualifikueseve dhe fazës së grupeve të Europa League. Edhe nëse ka nga ata që do të justifikoheshin me nivelin më pak të shquar të skuadrave të kompeticionit të dytë për nga rëndësia në Europë, vlen të theksohet se Silva ka luajtur edhe 10 ndeshje në Champions, ku ka shënuar 5 gola, ose një në çdo dy ndeshje.
Një vit më parë, pas po aq ndeshjesh sa në Serie A këtë vit, në Portugali ai ishte në kuotën e 12 golave, me një mesatare prej një sulmuesi premtues. Një tjetër motiv është edhe besimi i Gattusos dhe i cilësive të futbollistit. Rino Gattuso rivendosi në qendër të projektit të tij Biglian, duket se ka kuptuar aftësitë e turkut Calhanoglu, e tashmë mund të ndjekë të njëjtën gjë edhe me portugezin për ta risjellë në qendër të vëmendjes.
“Sa i përket Andre Silvës, përgjegjësia është edhe e imja. Ai ka nevojë për më shumë hapësirë, në mënyrë që të shfaqë aftësitë për goditjet nga distanca, ndërsa unë ia kam dhënë shumë pak këtë mundësi”, ka pranuar Gattuso, i cili duket se njëkohësisht edhe premton t’ia japë. Ndryshe nga vendimet e trajnerit Fernando Santos, që drejton Portugalinë, e që prej shtatorit të vitit 2016 e zgjedh gjithmonë si titullar. Për këtë arsye, Milani dhe Gattuso duhet të bëjnë më shumë për të zmbrapsur interesimin e ekipeve të huaja, nga Premier League ku agjenti Jorge Mendes ka një treg të mirë, por edhe Barcelonën, ekip që i është propozuar nga ai lojtarit për një eksperiencë të mundshme.
Top Channel