Pas Vetëvendosjes në Kosovë përçahet edhe Lëvizja BESA në Maqedoni. Kryesia ka shkarkuar kryetarin Bilal Kasami, per shkak të rezultatit në zgjedhjet lokale, ndërsa ai vetë e cilëson një vendim të paligjshëm. BESA lindi si lëvizje nga zhgënjimi me partitë tradicionale shqiptare në Maqedoni, por që nuk i rezistoi përplasjeve.
Vetëvendosja nuk është e vetmja parti shqiptare në rajon e përballur me një krizë të thellë të brendshme. Përçarjet kanë pllakosur edhe Lëvizjen BESA në Maqedoni, kryetari i së cilës Bilal Kasami u shkarkua nga anëtarët e kryesisë qendrore pas një takimi të mbajtur në selinë e saj të Shkupit.
Vetë Kasami reagoi ashpër duke e cilësuar këtë vendim të paligjshëm dhe jashtë statusit të partisë. Edhe hyrja në selinë e saj në kryeqytet sipas tij u bë në mënyrë ilegale ashtu sikurse, siç këmbëngul ai, janë manipuluar edhe faqet zyrtare në Facebook.
“Këshilli Qendror ka shkelur me çdo veprim të tij statutin e kanë dëmtuar Lëvizjen BESA”, deklaroi Kasami, “pjesëtarët e tij -vazhdon më tej- kanë hyrë në mënyre të paligjshme në selinë në Shkup ashtu siç hakëruan edhe faqen time personale si dhe atë të Lëvizjes.
Në mbledhjen e këshillit, ishte diskutuar ndër të tjera përgjegjësia e liderit të BESA-s për zgjedhjet lokale dhe shkelja e statutit të partisë.
Në krahun e Kasamit janë rreshtuar dy deputetë të tjerë, Fadil Zendeli dhe Teuta Bilalli. Anën e kryetarit të ri Nexhbedin Kahremani e mbajnë dy ligjvënës të tjerë, bashkëthemeluesi Afrim Gashi dhe Rexhep Memedi.
Sipas mediave vendase, me këtë lëvizje goditet rëndë grupi parlamentar i kësaj lëvizjeje. Përçarja e krerëve të BESA-s, thonë ata, është përjetuar rendë tek elektorati i saj.
Lëvizja BESA, një forcë mjaft e re politike u krijua në 2014-tën, si vullnet i një grupi të pakënaqur me përfaqesimin që po u bëhej shqiptarëve në skenën politike të Maqedonisë.
Top Channel