Komedia “Boeing boeing”, Teatri eksperimental hap dyert për këtë vit

07/01/2018 15:27

Ndërsa skenat e tjera teatrore e kulturore në kryeqytet ende nuk kanë nisur shfaqjet për publikun, Teatri Eksperimental hapi dyert këtë fundjave me një shfaqje brilante, komedinë “Boeing boeing”.

Aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe vijnë në komedinë me autor Marc Camoletti, përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera. Regjisori Kiço Londo ka zgjedhur kastin e aktorëve Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentjan Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Andia Xhunga dhe Linda Jarani për të sjellë lojën e humorit që zhvillohet në një avion.

Tri stjuardesa, nga tre vende të ndryshme, besojnë se secila prej tyre është e fejuara e Bernardit, i cili ka mundur të mbajë këtë marrëdhënie treshe, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre.

Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, ai lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën.

Nëse Don Zhuani Bernard do të mundet të mbajë në këmbë këtë maskaradë publiku mund ta zbulojë nga e mërkura në të diel deri më 21 janar, në Teatrin Eksperimental.

Top Channel