Juventus iu fal një goli të Federico Bernardeschi çerek ore nga fundit për të marrë 3 pikë në transfertën e vështirë ndaj Kaljarit. Kampionët në fuqi të serisë A, mundën ishullorët në një ndeshje të luftuar fort, që u vendos nga ngulmimi i Douglas Costa dhe rrjeta e lehtë e sulmuesit pranë vijës fatale.

Dy shtylla, raste pa fund dhe golat e Kulibali e Kajehon i hapën rrugën Napolit për fitoren e radhës në serinë A. Tensioni i parapriu sfidës me një kurth që tifozët vendas i kishin përgatitur veriorëve por që fatmirësisht nuk shkaktoi të lënduar duke i lënë llogaritë fushës. Rrjeta e parë në San Paolo u shoqërua me protestat e Veronës për një faull, por rezultati përligji dominimin e Napolit që nis 2018, ashtu sic kishte mbyllur vitin e kaluar, duke fituar me meritë.

Milan pati një mori rastesh në ndeshjen ndaj Krotones por arriti të fitojë me vështirësi 1-0 ndaj rivalëve modestë në San Siro, me golin e parë të Leonardo Bonuçit me fanelën kuqezi. Kapiteni ishte një nga më të mirët në fushë, jo aq për golin e vetëm të 90 minutëshit sesa për lojën e tij, në ndeshjen që regjistroi dhe anulimin e një rrjete të vendasve nga sistemi i videoarbitrimit.

Kriza kaploi edhe më shumë Romën pas humbjes në shtëpi 1-2 ndaj Atalantës. Suksesi i surprizës së serisë A erdhi me golat e Kornelius dhe De Ron, një disfatë që lë shenja dhe zhvendos kryeqytetasit jashtë zonës së Champions. Për tu shënuar përjashtimi i holandezit De Ron që vendosi nën presion skuadrën e portierit Etrit Berisha.

Top Channel