Gjykata e Apelit në Selanik në një seancë me dyer të mbyllura ka vendosur të deportojë në Shkup dy ish-ushtarakët e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë që akuzohen se janë të implikuar në skandalin e përgjimeve të qeverisë Gruevski gjatë viteve të kaluara.
Ata ishin arrestuar në përpjekje për t’u larguar nga Greqia në aeroportin “Maqedonia” të Selanikut në tetorin e kaluar. Të dy personat kanë apeluar kundër këtij vendimi dhe çështja e tyre do të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë. Sipas organeve policore greke ish-zyrtarët e shërbimit të fshehte të sigurimit në Shkup, përkatësisht 51 dhe 35 vjeç, ishin pjesë e një grupi prej gjashtë personash, të cilët janë arrestuar pasi pasaportat me nënshtetësi bullgare me të cilat udhëtonin ishin të falsifikuara, ndërsa për ta kishte urdhër arresti edhe nga Interpoli.
Ata akuzohen prej organeve të drejtësisë në Shkup për spiunazh me anë të sistemeve elektronike që u përdorën për përgjime të liderëve të opozitës dhe jo vetëm, një skandal që u zbulua në vitin 2005 nga partia e opozitës në vend, sot partia në pushtet dhe shkaktoi krizë politike tek fqinji verior të Greqisë.
Të akuzuarit që nuk kanë pranuar asnjë akuzë, kanë apeluar pasi janë shprehur të frikësuar për jetën e tyre, duke theksuar se në Shkup nuk do të kenë një gjyq të drejtë, ndaj dhe kanë kërkuar azil politik.
Çështja e tyre gjykohet në një moment kur për herë të parë pas 25 vitesh qeveritë e Athinës dhe Shkupit duken tepër të impenjuara dhe të gatshme për të zgjidhur çështjen e emrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Top Channel