Stuhia Eleonora që ka goditur Europën, duke shkaktuar deri tani tre të vdekur, nuk e prek Shqipërinë. Përkundrazi, këto ditë janë të ngjashme me një vjeshtë në fillim të janarit, pasi gjatë gjithë kohës do të kemi kthjellime, vranësira dhe reshje në sasi të pakta, pohon meteorologia Tanja Porja.
“Mesdheu dhe kryesisht Gadishulli i Ballkanit, janë shumë larg ndikimit të stuhive që përfshin brigjet oqeanike”, tha Porja.
Në zonat veriore dhe verilindore ka rënë nga 5 deri në 10 cm dëborë, për rrjedhojë trashësia ka arritur në mbi 80 cm, ndërsa lindja dhe juglindja kanë marrë sasi dëbore nga 2-3 cm dhe mbrëmë trashësia ka shkuar në 30 cm.
Në ditët në vazhdim moti do të jetë.
“Pritet që pjesa tjetër e javës dhe të paktën deri të martën e javës tjetër, të jemi në kushte shumë të favorshme dhe shumë komode të motit, pasi pjesa më e madhe e ditës do të dominohet nga moti kryesisht i kthjellët”, shprehet meteorologia Porja.
Përsa i përket temperaturave, Porja pohon: Ajo çfarë presim për ditët vijuese, të paktën deri rreth datës 9-10 janar, është rritja e temperaturave, që do të jetë tipike për vjeshtën dhe gjatë mesditës, maksimalisht mund të shkojnë në 18-19 gradë celcius.
Top Channel