Kuqezinjtë e Tetovës, Shkëndija me 3 blerje që në start

04/01/2018 14:12

Shkëndija startoi fazën përgatitore të dimrit, ndërsa në grumbullimin e parë të pranishëm ishin tre fytyra të reja. Mbrojtësi Mevlan Adili, porteri Seladin Mustafi dhe mesfushori Sabit Bilalli janë tre lojtarët e ardhur që kuqezinjtë shpresojnë se do ti japin titullin.

Mbrojtësi 23 vjeçar Mevlan Adili vjen nga FC UTA e Rumanisë, ndërsa rikthehet te Shkëndija ku ishte 6 muajt e parë të vitit 2015. Ai firmosi për 18 muajt e ardhshëm dhe pritet të rrisë konkurencën në repartin e prapavijës. Ndërkohë Portieri 24 vjeçar Seladin Mustafi ka nënshkruar për dy vite. Ka përvojë në Ligën e Parë të Maqedonisë kur ka luajtur me Renovën, për të cilët përveç kampionatit ka regjistruar edhe dy paraqitje në eliminatoret e UEFA Europa League. Një periudhë të shkurtër ishte pjesë e Llapit në Kosovë, ndërsa sezonin e fundit luajti me Teteksin.

20-vjeçari Sabit Bilalli luan si mesfushor ofensiv. Në ekipet e moshave ka qenë pjesë e Renovës dhe Dinamo Zagrebit, ndërsa me Shkëndijën ka firmosur kontratë tre vjeçare.  Ditët e para futbollistët do të kryejnë testet mjekësore, ndërsa nga 9 janari skuadra transferohet në Ohër. Faza e dytë dhe kryesore do të zhvillohet në Antalia.

Top Channel