Kosova në ‘letargji’, pa miqësore, pa trajner

04/01/2018 14:04

Nëse Shqipëria gjeti tek Norvegjia një rival të denjë për datën e lirë të FIFA-s në muajin Mars, përfaqësuesja e Kosovës po endet këto javë në një gjendje letargjie, mes problemeve emergjente që kërkojnë zgjidhje. I pari është trajneri i ri.

Pas dorëheqjes së Albert Bunjakut për shkak të dështimit në fushatën kualifikuese të Botërorit, janë përfolur shumë emra për tu ulur në pankinën e Kosovës. Turku Fatih Terim ishte  në axhendën e Federates, por paga e tij e lartë dhe ambiciet e mëdha të ‘Perandorit’, bënë që të mos konsiderohej fare oferta e FFK. Një trajner me eksperiencë që u kontaktua ishte dhe Srecko Katanec. Ish-futbollisti i Jugosllavisë mes të tjerave, Olimpiakosin si dhe përfaqësueset e Sllovenisë dhe Maqedonisë, nuk gjeti dot gjuhën me drejtuesit e Federatës së Kosovës. Buxheti rreth 30 mijë Euro në muaj, gjithësesi po afron jo pak CV për trajnerin e ri.

Si të mos mjaftonte kjo, FFK ende nuk ka arritur një akord për datën e lirë që FIFA ofron për miqësoret e muajit Mars. Kundërshtari i ardhshëm do të mbetet me gjasë enigma, ndoshta deri në javën e fundit.

Këtyre problemeve i shtohet ai i stadiumit. Në impiantin “Adem Jashari” në Mitrovicë do të luajë eliminatoret në Mars përfaqësuesja e 21 vjeçarëve kundër Azerbajxhanit dhe Gjermanisë. Stadium tjetër që plotëson kriteret nuk ka në Kosovë dhe kjo do cojë ekipin me gjasë, drejt ‘Loro Boriçit’ në Shkodër.

Top Channel