Ka kaluar rreth një muaj nga shembja e një masivi të konsiderueshëm shkëmbor në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, ndërkohë që ditët e para të Janarit këtu janë vërejtur rrëshqitje të tjera të përmasave më të vogla, çka tregon paqëndrueshmërinë e kësaj zone.
Autoriteti rrugor Shqiptar kërkoi një studim të plotë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten më.
Aktualisht ka përfunduar studimi gjeologjik dhe raporti teknik është dërguar në autoritetin rrugor shqiptar ku së bashku me Bankën Botërore do të përgatitet projekti për ndërhyrje në këtë zonë.
Lëvizja në aksin Elbasan – Tiranë vazhdon të kryhet nëpërmjet një by pass-i duke e shndërruar njërën korsi të autostradës me dy kalime në rreth 1 km të saj.
Fillimisht u mendua zhvendosja e gjithë këtij masivi shkëmbor për t’i hapur rrugë lëvizjes së lirë, por specialistët gjykuan se heqja e masës së shkëmbit do t’i hapë rrugë shembjes së të gjithë shpatit të malit.
Rruga Elbasan-Tiranë ishte parashikuar të përfundonte në Dhjetor të vitit 2017 ndërkohë që peripecitë gjatë rrugës e kanë stërzgjatur jo vetëm afatin kohor të saj, por edhe faturën financiare.
Top Channel