Policia e Laçit arrestoi tre të rinj dhe shpalli në kërkim një të katërt, të cilët dyshohen se kanë qëlluar me armë zjarri natën e ndërrimit të viteve.

Në të njëjtën natë një 16-vjeçar nga Sanxhaku humbi jetën i qëlluar në kokë nga një plumb qorr. Ekspertiza gjeti plumbin ndërsa po shikohen edhe armet e përdorura nga të rinjte për të parë nëse dy ngjarjet kanë lidhje.

Sipas njoftimit zyrtar Alban Lika, Ernis Lika dhe Arber Lika kanë qëlluar me armë zjarri teksa po qarkullonin në lagjen Sanxhak me automjet mesnatën e datës një janar 2018. Por ndërsa materialet janë referuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike si edhe për armëmbajtje pa leje, pritet që ekspertiza të përcaktojë nëse të rinjtë kanë apo jo lidhje edhe me vdekjen e 16-vjeçarit Klajdi Gjeta.

Adoleshenti u gjet i pajetë jashtë shtëpisë së tij pasi kishte dalë për të festuar me fishekzjarre. Por policia ka dyshime se Klajdi Gjetës iu mor jeta nga të shtënat e armëve gjatë festës së ndërrimit të viteve e për këtë po ushtron kontrolle në zonë për të gjetur jo vetëm armën me të cilën qëlluan të rinjtë por edhe armë të tjera.

Top Channel