Ndeshjet për Vitin e Ri, Guardiola: Shkatërrim për futbollistët

02/01/2018 15:42

Ndërsa në të gjithë botën festat e fundvitit kalohen në një atmosferë të gëzueshme pranë familjeve, futbollistët nuk e prishin regjimin stërvitor, madje duhet ta ruajnë atë shumë më mirë gjatë këtyre ditëve.

Pak ditë më parë për shkak të impenjimeve shumë të mëdha në këtë periudhë, trajnerët kryesorë në Angli, si Mourinho, Wenger dhe Conte kishin kritikuar sistemin e futbollit anglez. Këtyre zërave i është bashkuar edhe Guardiola, që në harkun e pak ditëve e ka parë shumë të impenjuar skuadrën, por ndërkohë ka dhe një numër të madh futbollistësh të dëmtuar.

“Taktikisht dhe fizikisht ndeshjet në periudhën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri janë një shkatërrim për futbollistët, por është Liga që vendos. Në shumë raste duhet të rikuperojmë për 4 ditë, në raste të tjera për 3, por ka edhe skuadra që duhet të rikuperojnë për dy ditë. Unë mund të them vetëm mendimin tim, por a do të ketë vlerë? Nuk ka asnjë mundësi që kjo situatë të ndryshojë”, tha Guardiola.

Përpara trajnerit spanjoll ishin shprehur kundër luajtjes së ndeshjeve në këtë periudhë trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, italiani Conte dhe trajneri i Arsenal Arsene Wenger. Shumë kritik me këtë kalendar të ngjeshur ka qenë edhe trajneri i West Bromwich Alan Scott Pardew.

Top Channel