Barazimi i fundit në kampionat me Crystal Palase ishte një betejë e vërtetë për skuadrën e drejtuar nga Guardiola, por më shumë se pikës së marrë, trajneri spanjoll i është gëzuar faktit se dëmtimet e futbollistëve të tij janë më të lehta nga parashikimet e para.
Kështu braziliani Gabriel Jesus i cili e la fushën e lojës më shpejt për shkak të një dëmtimi në gju, nuk do ti nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Ky është njoftimi zyrtar i klubit, që në fillim mendoi se braziliani pati pati një dëmtim shumë të rëndë. “Falë Zotit dëmtimi nuk është shumë i rëndë dhe për momentin është evituar ndërhyrja kirurgjikale”, shkruan Gabriel Jesus në profilin e tij në Instagram.
Sipas të gjitha gjasave braziliani ka shpëtuar të paktën Botërorin e verës, ndërkohë parashikimet e rikthimit të tij mendohet se mund të jenë jo më shpejt se një muaj e gjysmë, pikërisht në kohën e ndeshjeve të Champions League. Ka edhe nga ata që mendojnë deri në 3 muaj, por evitimi i operacionit është një shenjë e mirë për talentin brazilian.
Një tjetër i dëmtuar nga ndeshja e fundit për 2017 ishte dhe ajo e belgut De Bruyne. Ai morri një goditje të rëndë në fundin e ndeshjes, por asgjë për t’u shqetësuar. Problemin më të madh Guardiola e ka me David Silva, që ka marrë leje nga klubi për shkak të një problemi personal. “Do të kthehet kur të jetë gati, jeta personale është me rëndësishme se futbolli”, tha Guardiola edhe pse nuk e ka bërë publike arsyen e largimit të spanjollit.
Top Channel