Atalanta ka siguruar biletën e tretë për në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, pasi ka mundur Napolin në shtëpi, me golat Castagne dhe Gomez. Goli i Mertens nuk mjaftoi për kryesuesit e Serie A.

Pa u larguar ende atmosfera e ndërrimit të viteve, Napoli dhe Atalanta kanë zbritur në fushë për ndeshjen e parë të vitit 2018, që përkonte me takimin çerekfinal të Kupës së Italisë. Në San Paolon gjysmë të boshatisur dhe me shumë ndryshime në formacion, Napoli i Sarrit hasi vështirësi ndaj miqve bergamaskë të Atalantës.

Në 45 minutat e para nuk pati shumë momente për t’u mbajtur mend, me Napolin që kontrolloi qarkullimin e topit, ndërsa Atalanta e rreshtuar mirë shfrytëzoi kundërsulmet, me të zakonshmin Papu Gomez. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Fillimi i pjesës së dytë ishte më i mirë për miqtë, që duke përfituar nga një pasim i karamboluar përfundoi në këmbët e Castagne, që e dërgoi topin nën tranversë, duke mundur portierin Sepe. Trajneri Sarri mendoi të ndryshonte diçka, duke hedhur Mertens ne fushë, por aksionet nuk gjenin fund.

Në minutën e 81-të, pas një pasimi të gjatë, Gomez arriti të kalojë në lojën një kundër Chiriches dhe më pas mposhti për të dytën herë portierin Sepe. Napoli u kundërpërgjigj me golin e parë, vetëm 4 minuta më vonë, por nuk pati kohë të ndryshonte rrjedhën e takimit.

Atalanta shkon për herë të parë që nga viti 1996 në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë dhe pret fituesen e çiftit Juventus-Torino.

Top Channel