Roma ‘ngec’ sërish, Benevento merr fitoren e parë, Sampi fiton ‘in extremis’

30/12/2017 17:02

Roma nuk ia ka dalë të rikthehet te fitorja, duke u ndalur në një barazim 1-1 me Sassuolon në shtëpi. Përballë të shkuarës së tij, Di Francesco nuk arriti të festojë, duke e mbyllur vitin 2017 në vendin e 4-t.

Një tjetër ish në këtë sfidë, Pellegrini ishte ai që zhbllokoi shifrat në pjesën e parë, pas asistit të Dzekos, por Missiroli ndali festën në “olimpico’ vetëm 12 minuta para fundit.

Atalanta e Etrit Berishës ka pësuar një humbje befasuese në Bergamo, përballë cagliarit. Sardët arritën të shënojnë 2 herë në pjesën e parë, ndërsa golin e vetëm për vendasit e shënoi Gomez në minutën e parë shtesë.

Ndonëse kishte marrë vetëm një pikë në 18 javë, Benevento arriti ta mbyllë me festë 2017-ën. Skuadra që mbyll renditjen e Serisë A, gjeti sot fitoren e parë, duke mposhtur 1-0 Chievon. Si Memushaj, edhe Gjimshiti, ishin titullarë në këtë sfidë, duke dhënë kontributin e tyre gjatë gjithë 90-minutëshit.

Udinese vijon të tregojë një formë mjaft të mirë nën drejtimin e Massimo Oddos, teksa viktima e radhës ishte Bologna. Friulianët triumfuan 1-2 në Emilia, duke zhvlerësuar avantazhin fillestar të vendasve.

Edhe Sampdoria ia doli të rikthehet te fitorja, duke e mbyllur me festë 2017-ën. Skuadra e Giampaolos mposhti me rezultatin 2-0 SPAL-in, falë 2 golave të Quagliarelës në minutat e 92′ dhe 94′. Torino dhe Genoa u ndanë në barazim pa gola, ndërsa java e 19 do të mbyllet me sfidat Inter-Lazio dhe Verona-Juventus.

Top Channel