PDK i kërkon presidentes së re të kthejë Ligjin për Specialen në Kuvend, Justina Shiroka Pula pritet të marrë vendimin Ambasada Amerikane në Prishtinë ritheksoi të premten se çdo përpjekje për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte do të ketë pasoja të thella negative për të ardhmen e Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara.
Në një komunikatë të Ambasadës Amerikane thuhet: “Gjatë kësaj jave, udhëheqësit kosovarë kanë bërë deklarata të përsëritura publike duke thënë se një nismë lidhur me Gjykatën e Posaçme e ndërmarrë në Parlamentin e Kosovës, nuk do të dëmtojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Ata e kanë gabim. Çfarëdo përpjekje e tillë e përsëritur do të kishte pasoja të thella negative për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara”.
Më 22 dhjetor, Kryesia e Parlamentit u mblodh dy herë për të caktuar një seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, pas një kërkese të nënshkruar nga 43 deputetë. Në mungesë të përfaqësueseve të LDK-së, Vetëvendosjes dhe Listës Serbe, të cilët u thirrën nga ambasadorët e huaj, përpjekja dështoi. Megjithatë, reagimet e ndërkombëtarëve ishin të paprecedenta.
Ambasadori amerikan Greg Delaui e cilësoi nismën si thikë pas shpine, ndërsa të tjerë theksuan pasojat e rënda që do të sillte ajo për vendin. Ndërsa disa deputetë bënë një hap prapa duke u justifikuar se nuk e dinin mirë se për çfarë po firmosnin, kryeministri Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi theksuan se do të respektonin vendimin e ligjvënësve, cilido të ishte ai.
Ndryshimi i ligjit për Gjykatën e Posaçme, sipas Thaçit, nuk do të dëmtonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Top Channel