Tashmë është zyrtare, Gugash Magani nuk është më trajner i Teutës. Klubi durrsak konfirmoi përfundimisht zërat që po qarkullonin prej ditësh nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.
Në komunikatën e shkurtër për shtyp, drejtuesit e Teutës kanë shprehur mirënjohjen e tyre ndaj Gugash Maganit. Në të njëjtën kohë Teuta bëri të ditur se vendin e Maganit në pankinë do ta marrë Stavri Nica prezantimi i të cilit do të bëhet në 4 janar. Nica do të ketë përkrah tij në stol Ilir Biturkun si trajner të dytë.
Dukej se largimi i Gugash Maganit nga Teuta ishte i paracaktuar më parë. Trajneri peqinas javë më parë dha dorëheqjen nga detyra e tij pas humbjes me Lushnjen duke deklaruar se ndihej i tradhtuar nga disa prej futbollistëve, por drejtuesit e Teutës në atë kohë e refuzuan dorëheqjen e tij duke e mbajtur atë në detyrë.
Pas 16 javësh kampionat, Teuta e sheh veten në pozita delikate në kampionat pasi ndodhet ne vendin e 8 me 15 pikë, po aq sa edhe Vllaznia e Shkodrës që është një pozicion më poshtë.
Për sa i përket zëvendësuesit të Maganit, Stavri Nica,ky i fundit në javët e para ishte në stolin e Laçit, por u largua pas përplasjeve me drejtuesit e klubit kurbinas për merkaton e kryer.
Top Channel