Conte thërret Vidal: E dua gjithnjë me vete

27/12/2017 13:32

Nuk ka qenë ndonjë sekret që merkato e verës e bërë nga Chelsea nuk e kënaqi aspak trajnerin Conte, që dëshironte përforcime në mesfushë dhe sulm.

Dhe në këto kushte, në prag të merkatos dimërore, tekniku i londinezëve ka dalë hapur për të kërkuar përforcime për pjesën e dytë të sezonit dhe në skenë rishfaqet një njohje e vjetër, Arturo Vidal: “Do ta doja gjithnjë me vete”.

Këtë konfirmim trajneri Conte e bëri pas fitores me Brighton në kampionat, që e çon tashmë vetëm 1 pikë larg Manchester United të vendit të dytë. Ish-trajneri i Italisë ëndërron të ketë në skuadër Vidal, me të cilin arriti të fitonte 3 tituj radhazi në Serie A. Së bashku me Pirlon, Vidal ka qenë futbollisti që spostonte ekuilibrat e skuadrës nga mesfusha drejt sulmit.

Kontrata e Arturo Vidal me Bayern Munchen është e vlefshme deri në verën e vitit 2019, por duket se futbollisti nuk është aq shumë i mbrojtur nga kërkesat e skuadrave të tjera. Prej kohësh ai nuk ka një vend të palëvizshëm në skuadër dhe Inter ishte shumë pranë transferimit në verë.

Edhe pas ikjes së italianit Ancelotti, situata është e njejtë dhe Heynckes ka alternativa të tjera për atë repart, ndaj ka gjasa që futbollisti të sakrifikohet për të mos e humbur me parametra zero pas një viti e gjysmë. Dhe Chelsea mund të jetë zgjidhja ideale për të gjitha palët, mbi të gjitha për trajnerin Conte, që kërkon një njeri të besuar në mesfushë.

Top Channel