Prosinecki: Modriç, futbollisti më i mirë kroat

26/12/2017 15:05

Nuk është Suker dhe as Boban futbollisti kroat më i mirë i të gjitha kohërave. Robert Prosinecki, ish-futbollisti i Real Madrid dhe Barcelonës, pohon se Luca Modriç është padyshim futbollisti më i mirë kroat i të gjitha kohërave.

Në një intervistë për të përditshmen Sportske Novosti, Prosinecki e argumenton zgjedhjen e tij: “Nuk e zgjedh për numrin e trofeve që ka fituar me Real Madrid, por për mënyrën e lojës së tij. Mënyrën si ai shfaqet në fushë dhe si arrrin që të dominojë me veprimet e tij. Është vërtetë impresionues dhe padyshim futbollisti kyç i suksesve të Real Madrid”, tha Prosinecki.

Për Prosineckin nuk ka asnjë lëkundje nëse duhet të zgjedhë trajnerin më të mirë në botë. “Guardiola, nuk ka dyshim. Është më i miri që kam parë të trajnojë një skuadër futbolli. Të shikosh si luajnë skuadrat e tij është kënaqësi: i referohem Barcelonës, Bayern dhe tani edhe te City”.

Po kështu për kroatin nuk ka dilemë edhe në zgjedhjen mes Messit e Ronaldos: “Futbolli që bën Messi është i magjishëm dhe i papërsëritshëm”, tha Prosinecki.

Top Channel