Tahiri rimerr pasaportën. Apeli i Krimeve të Rënda e lejon të udhëtojë jashtë

26/12/2017 15:55
Foto arkiv

Dy javë pasi iu ndalua të dalë jashtë Shqipërisë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri fitoi në Apel jo vetëm pasaportën dhe kartën e identitetit, por edhe betejën ndaj dy vendimeve të Shkallës së Parë që e ndalonin të udhëtonte përtej kufijve.

Në një seancë me dyer të mbyllura në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, avokati i tij Maksim Haxhia dhe ish-ministri kanë këmbëngulur për heqjen e masës që u dha në dy data të ndryshme nga e njëjta gjyqtare. Pas argumentit se nuk kishte prova, kërkesa u pranua nga gjyqtarët Saida Dollani, Sokol Binaj dhe Nertina Kosova.

Pas këtij vendimi, ish-ministri Tahiri uroi vetëm festat e fundvitit dhe nuk e përmendi më frazën që kishte filluar ta thoshte shpesh se do të fliste së shpejti. Avokati i tij, Maksim Haxhia komentoi: “Gjykata vendosi shfuqizimin e dy vendimeve të datës 9 dhe 13, me anë të të cilave ishte vendosur ndalimi i zotit Sajmir Tahiri për të dalë jashtë shtetit dhe sekuestrimi i pasaportës dhe kartës së identitetit”.

Më herët, në Shkallën e Parë u shqyrtua edhe kërkesa e biznesmenit, i cili përsëriti për të disatën herë të lërë paraburgimin, duke ofruar sipas ligjit garanci pasurore. Gjykata e rrëzoi kërkesën e 25-vjeçarit, i cili po hetohet në dosjen “Habilaj”, pasi u bllokua në automjet nga një postbllok policor me 863 mijë euro. Avokati dhe familja e te riut këmbëngulin se kjo shumë do t’i paguhej si garanci kompanisë “Kurum”, ndërkohë që edhe prokuroria gjatë seancës së radhës është tërhequr nga qëndrimi i mëparshëm se kjo shumë mund t’i përkasë ish-ministrit të Brendshëm.

Sipas burimeve, prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës “arrest me burg”, ndërkohë që për enigmën se kujt i përket kjo shumë, ka heshtur në gjykatë.

“Mbahet në burg pa asnjë provë, për vepra penale që nuk janë në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, mbahet në burg, do të thoja me bindje të plotë, si peng i një procesi tjetër, ku edhe personi që është bërë lidhja artificiale nuk ka një akuzë të ngritur”, tha avokati Fatmir Braka.

 

Top Channel