Katër vota të LSI-së dhe një e PR-së i kanë siguruar bashkisë Durrës votat e nevojshme për miratimin e Buxhetit 2018 dhe program buxhetin 2018-2020.
Opozita nuk mori pjesë në këtë mbledhje, por megjithatë pati rrjedhje votash me të cilat u miratua buxheti 4,8 miliard lekë, ose rreth 36 milion euro i bashkisë së Durrësit. LSI e kishte vlerësuar buxhetin e Durrësit si fasadë dhe larg nevojave të komunitetit. Pas mbledhjes, përfaqësuesi i këshilltarëve të LSI-së Jeton Rexhmati tha se do të ketë një mbledhje grupi dhe një vendim për këtë rrjedhje të papritur votash nga radhët e LSI-së.
Investimet kryesore në sheshe publike të qytetit, si ai i “Velierës” në hyrje të portit detar dhe sheshi përballë Mauzoleumit të Dëshmorëve ku parashikohet të ngrihet edhe Pallati i Drejtësisë janë kontestuar nga shumë qytetarë dhe urbanistë. Ndryshe nga qëndrimi kundër i opozitës, kryebashkiaku Vangjush Dako pas miratimit deklaroi se buxhet është i balancuar, prek nevojat e komunitetit dhe do të mundësojë punësim, investime dhe shërbime publike.
I kontaktuar në linjë telefonike, kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë Armand Teliti tha se grupi nuk ka asnjë deklaratë në lidhje me mospjesëmarrjen në këtë mbledhje të rëndësishme për taksat vendore, investimet publike dhe zhvillimin e qytetit të Durrësit në tërësi.
Në Durrës po kthehet në traditë tashmë miratimi i buxhetit të bashkisë pa pjesëmarrjen e këshilltarëve të djathtë.
Top Channel