Marsejë, në koma 23-vjeçari shkodran

22/12/2017 14:28

Florenc Beqiraj, i riu shkodran që dyshohet se është masakruar në një burg të Marsejës, është në gjendje të rëndë shëndetësore. Autoritetet franceze thonë se i riu ka pak mundësi për të jetuar, pasi klinikisht ai është i vdekur dhe mbahet në jetë falë aparaturave.

Beqiraj ishte në Francë prej dy vitesh e po përpiqej të përfitonte azilin. Ai është ndaluar nga policia dhe për mungesë dokumentacioni përfundoi në burg. Pikërisht gjatë qëndrimit prapa hekurave ka ndodhur dhe incidenti që e çoi 23-vjeçarin në fund të jetës.

Ai u gjet i masakruar, me njolla në trup dhe një shenjë teli në fyt, duke përfunduar në gjendje të rëndë. Zërat që thonë se i riu ka tentuar vetëvrasjen nuk pranohen nga familja. Të tjerë mendojnë se Florenci është masakruar në burg, ose nga policia, ose nga të dënuarit e tjerë.

E motra e tij që jeton prej disa vitesh në Mal të Zi, tha se i vëllai e ka marrë në telefon për t’i thënë se është ndaluar për shkak të mungesës së dokumentave dhe se në burg rrethohej nga njerëz të rrezikshëm.

Sipas të motrës, askush nuk i ka dhënë sqarime për ngjarjen, ndërsa zyrtarisht nga ambasada shqiptare i është thënë se i riu është vetëvarur me litar.

Vetë Ministria e Jashtme thotë se nuk ka ende një version zyrtar hetimor nga autoritetet franceze dhe shton se ambasada jonë në Paris është në kontakt të vazhdueshëm me palën franceze për rastin në fjalë.

Top Channel