“Klasikja” spanjolle garanton spektakël

22/12/2017 12:53

Madridi do të jetë kryeqyteti i futbollit botëror, pasi të shtunën në “Santiago Bernabeu” do të luhet “Klasikja” mes Realit të Madridit dhe Barcelonës.

Të gjitha televizionet do ta transmetojnë eventin e madh futbollistik, me përjashtim të Koresë së Veriut, Mongolisë, Maltës dhe Papua Guinesë së Re. Në Shqipëri kjo sfidë do të transmetohet nga paketa Supersport e platformës Digitalb.

Ajo e së shtunës do të jetë e 175 mes Realit të Madridit e Barcelonës, me “Los Blancos” që kanë një avantazh të lehtë me 72 fitore kundrejt 69 humbjesh, me 283 gola të shënuar e 277 të pësuar. Kjo sfidë është sinonimi i emocionit, spektaklit e sidomos golit. Prej 15 vitesh nuk ndodh që “Klasikja” të mbyllet me barazim pa gola. Herën e fundit që Reali e Barcelona mbetën “thatë” ka qenë në sezonin 2002/2003, në “Camp Nou”. Përsa u përket përballjeve në Bernabeu, duhet të kthehemi akoma më prapa në kohë për të parë rezultatin 0-0, në sezonin 1986/87.

Bernabeu është konsideruar si fortesa e Realit, por në dekadën e fundit në përballjet me Barcelonën ky stadium ka rezultuar të ketë qenë e kundërta. Kanë qenë katalanasit ata që në këtë impiant kanë shfaqur potencialin e tyre. Madje, disa fitore të tyre kanë hyrë në histori, siç është ajo e sezonit 2005/2006, ku Ronaldinho dha një spektakël të vërtetë duke marrë edhe duartrokitjet e tifozëve të Realit. Po kështu, nuk harrohet as fitorja 1-3 e vitit 2011, ajo 0-4 e vitit 2015 apo edhe ajo 2-3 e sezonit të kaluar. Por, data më e paharruar për të gjithë tifozët katalanas e jo vetëm është 2 maji 2009, kur Barcelona mori një fitore tenistike në Bernabeu 6-2, duke vulosur përfundimisht fatin e La Ligës së atij sezoni.

Barça ka një avantazh prej 11 pikësh në prag të kësaj përballjeje, por kjo statistikë do të harrohet në fushën e gjelbër, pasi “Klasikja” është më shumë se një ndeshje e thjeshtë futbolli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA