Jorginho e ka shkruar tashmë “letrën” e tij për babagjyshin e Krishtlindjes.

“Dhurata që do të doja nën pemën e Krishtlindjes? Sigurisht të jem kampion i dimrit”, thotë mesfushori i Napolit, teksa ka folur për ambiciet e skuadrës së drejtuar nga Sarri, aktualisht në krye të renditjes, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga faza e parë.

“Jemi gati të konkurrojmë në çdo kompeticion”, shton italo-braziliani, njëri nga shtyllat e mesfushës së të kaltërve.

“Duhet të kemi mentalitetin e të luftuarit për të fituar gjithçka. Ndonjëherë nuk është e mundur, por duhet të mendojmë se mund t’ia dalim dhe ta provojmë me të gjitha mënyrat e mundshme”, shton Jorginho.

Ish-futbollisti i Veronës, deri më tani ka luajtur 19 ndeshje mes kampionatit, Championsit dhe Kupës së Italisë, duke shënuar 4 gola dhe regjistruar 3 asiste.

Sa i përket titullit kampion, Jorginho duket të jetë i qartë: Besojmë, përndryshe është e kotë që jemi këtu ku jemi. Kemi 3 vite që e provojmë, që kur nisi projekti i ri. E rëndësishme është të mos dorëzohemi përballë asgjëje, duke punuar me qetësi. Rrugëtimi do të jetë ende i gjatë.

Top Channel