Bayern Munchen zyrtarizoi firmën me sulmuesin e Hoffenheimit dhe Kombëtares gjermane, Sandro Wagner, që u bashkohet kampionëve të Bundesligës ende pa u hapur zyrtarisht merkatoja e janarit.

Futbollisti firmosi një akord për dy vite e gjysmë me ekipin bavarez, diçka që e cilësoi si kthim në shtëpi.

Wagner shpreson se kjo lëvizje do ta ndihmojë që të jetë pjesë e Kombëtares së Gjermanisë në Botërorin e verës së ardhshme në Rusi. Ai mori numrin 2, gjë e pazakontë për një sulmues.

“Nuk kishte shumë numra në dispozicion dhe dyshi m’u ofrua. Besoj se është i pëlqyeshëm për mua, pasi është firma ime e dytë me Bayernin. Shpresoj se kjo fanellë do të më sjellë fat”, tha Sandro Wagner.

Ai pranoi se nuk e kishte menduar dy herë ofertën që i erdhi nga skuadra e vendlindjes.

“Një rrugëtim i gjatë për mua erdhi në fund dhe ishte e lehtë të pranoja Bayernin. Jam në klubin më të mirë të Gjermanisë, e në një nga më të mirët në botë”, tha Sandro Wagner.

Top Channel