Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley deklaroi se Uashingtoni po përpiqet fort që të gjitha vendet ta njohin Kosovën në Kombet e Bashkuara.
Haley i bëri komentet gjatë pritjes së organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork dhe Dhoma Amerikane në Kosovë, ku ishin të ftuar ambasadorë të akredituar në OKB, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare e të bizneseve amerikane. Diplomatja e lartë nuk la pa përmendur dhe faktin që bashkëshorti i saj është me origjinë shqiptare.
“Ne deshëm të merrnim pjesë në këtë aktivitet për disa arsye. Jam këtu me burrin tim, gjyshi i të cilit erdhi në Amerikë nga Shqipëria. Kemi shumë gjëra të përbashkëta me kosovarët në komunitetin shqiptar. Ne po përpiqemi që Kosova të marrë njohjen e të gjithë vendeve në OKB dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa Kosova ta fitojë njohjen”, tha Haley.
Arsyeja që e bëjmë këtë, vazhdoi Haley, është se kemi disa vlera të përbashkëta: respektojmë njëri-tjetrin, besojmë tek njëri-tjetri e kemi të njëjtat vlera demokratike. Ajo kujtoi sesi shqiptarët e Kosovës u treguan të gatshëm të ndihmonin kur Teksasi u godit nga uragani këtë vit e shtoi se kjo flet për lidhjet që dy popujt ndajnë mes tyre.
Ambasadorja la më tej të kuptohej se prania e saj në event ishte dhe një mesazh i qartë i faktit se Amerika do të vazhdojë të mbetet një vend mik për Kosovën.
Top Channel