Libertadores, shorti krijon “grupe ferri” për edicionin e 2018-s

21/12/2017 16:18

Faza e grupeve në Kupën Libertadores për edicionin e ardhshëm parashikon përplasje të mëdha dhe një koefiçent vështirësie të lartë që në fillim.

E cilësuar si Champions League e Amerikës Latine dhe me një traditë të gjatë e duele epike, edhe ceremonia e shortit nuk zhgënjeu, duke dhuruar të paktën një nga ata që cilësohen si “grupe ferri”.

Argjentinasit e River Plate, që thuajse në çdo turne e nisin si favoritë, do të përballen me ekipin brazilian Flamengo, në një kryqëzim intrigues mes dy vendeve që rivalizojnë ashpër si në rang klubesh, ashtu dhe kombëtaresh.

Grupi 4 do të ketë gjithashtu Emelec, si dhe një skuadër tjetër që do të dalë nga parakualifikueset. Jo i lehtë shorti edhe për grupin 7, sërish me argjentinas dhe brazilianë: Corinthians, Independiente, Millonarios e Deportivo Lara.

Në grupin 8 do të ketë një përplasje epike mes Boca Juniors dhe Palmeiras. Gjithçka do të marrë jetë më 22 janar 2018, e turneu do të mbyllet me finalen e dytë të madhe të 28 nëntorit, si gjithmonë vajtje-ardhje.

Top Channel