Nëse drejtuesit kinezë të Interit kanë vendosur që merkatoja e janarit do të vetëfinancohet, Spalletti kërkon disa ndërhyrje të vogla për të forcuar më shumë skuadrën për objektivat sezonalë.
Trajneri i zikaltërve kërkon një fantazist kualitativ, por edhe një qendërmbrojtës me garanci, ndërsa pronarët duhet të rikuperojnë të paktën edhe 60 milionë euro nga kualifikimi i mundshëm në Champions.
Emrat që po qarkullojnë më shumë orët e fundit janë Pastore dhe Mkhitaryan. Argjentinasi kërkon hapësirë për të pretenduar një vend në kombëtare për në Botëror, por Parisi nuk ia krijon. Vet futbollisti ka pranuar idenë e huazimit tek Interi, ndërsa këta të fundit refuzojnë detyrimin për blerje në fund të sezonit.
Në krahun tjetër, Mkhitaryan ka luajtur vetëm 19 minuta në 7 ndeshjet e fundit me Manchester United dhe Mourinho është i gatshëm ta lëshojë me huazim për 6 muajt e ardhshëm të sezonit. Të dy janë futbollistë që trajnerit Spalletti duket se i krijojnë komoditet për skemat e tij.
Një tjetër emër me parametra zero, që qarkullon në zyrat e Interit, është ai i Leon Goretzka, talenti i Schalke 04, por që zikaltrit mund të kenë edhe konkurrencën e Bayernit dhe shumë prej skuadrave angleze.
Inter ndërkohë po punon gjithnjë për De Vrij, që ende nuk i është përgjigjur ofertës së Lacios për rinovimin e kontratës. Holandezi është shprehur se do të japë një përgjigje brenda fundit të vitit, ndërkohë që Lacio është gati ta nxjerrë në shitje në janar, për të mos e humbur me parametra zero në qershor.
Top Channel