Thyen arkën e kursimeve të të bijës…për një bisedë me Mourinhon

20/12/2017 13:47

Trajneri i Bristol Cityt, Lee Johnson shpreson se një shishe vere 450 paundëshe do të mjaftojë për ta “joshur” Jose Mourinhon të ulet për një kohë të caktuar, qoftë edhe për një bisedë të thjeshtë, në krah të tij pas çerekfinales së Kupës së Ligës, mbrëmjen e kësaj të mërkure.

Ekipi që militon në kategorinë e dytë të kampionatit anglez, Championship, do të presë Manchester United në përballjen e parë të 1/8-ave të kupës, që prej sezonit 1988-’89. I pyetur nëse shpreson vërtet se do të kalojë pak kohë së bashku me teknikun portugez, Johnson u përgjigj entuziast: Po, kam shpenzuar 450 paund për një shishe verë. Më është dashur të thyej arkën e kursimit të vajzës sime të vogël për këtë”.

Trajneri 36-vjeçar, i cili ka arritur të korrë 8 fitore në 10 ndeshjet e fundit, porositi një shishe verë “Barca Velha Red” të vitit 2004, pasi siç thuhet është e preferuara e ish-trajnerit të Chelseat dhe Realit të Madridit.

“E kemi përzgjedhur me kujdes maksimal, pas hulumtimeve të shumta që bëmë, e kuptuam se Jose e pëlqen jashtëzakonisht shumë këtë shishe. Kështu që shpresoj se ai do të vijë e të bisedojë pak me mua. Shpresoj t’i shkëpus ndonjë ide gjeniale nga truri i tij gjatë atyre 5 apo 10 minutave. Kjo, sepse ai është absolutisht njëri nga më të mirët. Çdo trajner i ri, siç jam edhe unë, do të përpiqeshin me çdo kusht që të kishin kontakte me trajnerë si ai”, tha Johnson.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel