Nga njoftimi bombastik i “Yahoo”-së mbi cënimin e bazës së tij të të dhënave, që preku miliona vetë, e deri te sulmet paralizuese të viruseve “WannaCry” dhe “BadRabbit”, viti 2017 ka qenë ai i disa katastrofave kibernetike.

Por, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga ekspertët e sigurisë në internet, shumë njerëz vazhdojnë të përdorin fjalëkalime të dobëta e lehtësisht të parashikueshme, për mbrojtjen e kompjuterave apo adresave të tyre.

Prodhuesi i aplikacioneve të sigurisë, “SplashData” nxori listën e fjalëkalimeve më të këqija të këtij viti, e në krye të saj vendos sërish të famshmin “123456”.

Renditja e fjalëkalimeve më të pasuksesshme, që vazhdojnë megjithatë të përdoren gjerësisht në mbarë botën, vendos në vend të katërt fjalën “qwerty”, në të 11-tin “admin”, e në të 14-tin “login”.

Sivjet ka edhe një risi: rrugën për t’u bërë pjesë e kësaj liste e gjeti edhe “Star Wars”, e vendosur në pozicionin e 16.

Ndonëse episodi i ri i “Luftës së yjeve” mund të jetë shumë i mirë, përdorimi i emrit të filmit si fjalëkalim është mjaft i rrezikshëm, thotë shefi ekzekutiv i “Splash”-it, Morgan Slain.

Piratët kompjuterikë (hacker-at), – shpjegon ai, – përdorin shumë nga termat e kulturës pop apo sportit, për të hyrë në adresat “online”, sepse e dinë që një numër i madh njerëzish i referohen atyre si fjalë apo shprehje, të cilat mbahen mend lehtë.

Në 50-shen e parë të listës gjenden edhe emra makinash, më të përdorurat nga të cilat rezultojnë “Ferrari” dhe “Mercedes”.

Top Channel