Zbërthehet kreu i FIFA, Infantino për Italinë dhe “VAR”

19/12/2017 21:03

Presidenti i FIFA-s Xhani Infantino mbylli çdo derë të mundshme që të rikthehet Italia në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Dështimi i bujshëm i të kaltërve për tu kualifikuar, sigurisht e ka surprizuar për keq Xhani Infantinon, por ai ka rrëzuar çdo skenar që do ta rivendosnin përfaqësuesen nga Apeninet, në elitën e futbollit verën që vjen.

“Duhet të kualifikohesh në fushë dhe kush është mes emrave finalistë, e ka merituar këtë nder. Fakti që nuk do të kenë kombëtaren në botëror, për të gjithë italianët është një tragjedi sportive, por duhet ta kthejnë këtë në një stimul. Duhet të mësosh nga humbjet duke përveshur mëngët për të punuar. Italisë së futbollit i duhen reforma, rinovime dhe ti analizojë problemet që në lindje”, tha presidenti i FIFA-s.

Zvicerani i lindur në Brig, foli edhe për sistemin e videoarbitrimit duke i dhënë një votë plotësisht pro.

“Sistemi VAR e ka kaluar klasën dhe po ecën shumë mirë. Kultura e dyshimit është prezente më së shumti në Itali, por unë mendoj se sistemi që ndihmon arbitrat është një makinë shumë e bukur që jep më shumë drejtësi dhe transparencë në futboll. E rëndësishme është të evitohen episodet e rënda. Do t’i jepja notën 9”, tha Xhani Infantino.

Top Channel