Korçë, qëllohet me armë 39-vjeçari, sapo ishte kthyer nga Gjermania

19/12/2017 23:03

Një 39-vjeçar nga Korça është plagosur me armë zjarri nga disa persona, të cilët i kishin zënë pritë në aksin nacional Korçë -Ersekë.

Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së martës, ndërsa sipas të dhënave të para 8 persona i kanë zënë rrugën dhe kanë qëlluar me arme ndaj 39-vjeçarit Mina Zoja një person me precedentë penalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Mësohet se i plagosuri sapo ishte kthyer nga Gjermania ku jetonte prej vitesh, ndërkohë që ende nuk dihet motivi i ngjarjes pasi edhe vetë i dëmtuari ka qenë i rezervuar në dhënien e informacioneve dhe bashkëpunimin me policinë.

Sipas të dhënave nga policia lidhur me dinamikën e ngjarjes mësohet se fillimisht ka patur përleshje midis 39-vjeçarit dhe 8 personave të tjerë, të cilët e kanë goditur me sende të forta dhe janë larguar me shpejtësi.

Më pas, agresorët janë kthyer dhe duke përfituar nga errësira në zonë e kanë qëlluar me armë edhe pse përgjatë rrugës ka banesa. Dyshimet e para janë se ngjarja mund të ketë lidhje me një konflikt të vjetër. 39 vjeçari ka marrë një plumb në këmbë dhe është transportuar në spital, ndërkohë që një orë pas ngjarjes është nisur drejt kryeqytetit për mjekim më të specializuar.

Top Channel