Atletico denoncon Barçën: Kontakte të parregullta me Griezmann

19/12/2017 16:55

Atletico Madrid ka denoncuar Barcelonën në selinë e FIFA-s për “çështjen Griezmann”. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja spanjolle “Marca”, që shpjegon se klubi “blaugrana” ka pasur kontakte të parregullta nga ana ligjore me sulmuesin francez, i cili është nën kontratë me “Los Colchoneros” deri në vitin 2022.

Atletico pretendon se këto kontakte përfaqësojnë një tentativë të qartë për të destabilizuar ambientin, duke parë duelin e ashpër për titull që sheh të përfshira të dyja skuadrat. Për momentin, të besuarit e Diego Simeones janë në vendin e dytë të klasifikimit, me 6 pikë më pak sesa Barça.

Antoine Griezmann ka rinovuar këtë verë kontratën e tij me Atleticon, me një klauzolë prishjeje të parakohshme të saj të fiksuar fillimisht në 200 milionë euro, e më pas e përgjysmuar në fillim të korrikut.

Barcelona është sanksionuar edhe në të kaluarën nga FIFA për disa parregullsi në transferimet e sportistëve minorenë, por edhe nga organet fiskale spanjolle në rastin e Neymarit.

Top Channel