Donald Trump i mohoi raportet se po planifikon shkarkimin e prokurorit të posaçëm, Robert Mueller, njeriu i vendosur në krye të hetimit mbi përfshirjen e supozuar të Rusisë në presidencialet e vitit 2016.

Tensionet janë shtuar ndjeshëm mes Shtëpisë së Bardhë dhe ekipit hetimor të Muellerit. Të shtunën, avokati i grupit të tranzicionit presidencial, që ndihmoi në kalimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve, u shpreh se ky ekip ka siguruar në mënyrë të paligjshme me mijëra “e-mail”-e e materiale private.

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi sherrin ligjor, Trump tha se “gjërat nuk duken aspak mirë” dhe se njerëzit e tij “janë shumë të zemëruar”.

Kritikat e përshkallëzuara ndaj Muellerit kanë shtyrë disa ligjvënës demokratë të shprehin hapur shqetësimin e tyre se anëtarët republikanë të Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve duan ta mbyllin hetimin, që përfshin disa ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të fushatës së Trumpit.

Vet prokurori i posaçëm amerikan e mbrojti ligjshmërinë e grumbullimit të “e-mail”-eve, edhe pse zyrtarët e administratës u vunë në dijeni vetëm javën e kaluar, se një agjenci qeveritare e kishte dorëzuar korrespondencën përpara disa muajsh.

“E-mail”-et vinin nga kompjuterat e 13 zyrtarëve të lartë të ekipit të tranzicionit dhe mbulojnë një periudhë, nga koha kur Trump u zgjodh në fillim të nëntorit 2016, e deri kur mori detyrën më 20 janar 2017.

Mesazhet përfshijnë diskutime për sigurinë kombëtare dhe objektivat e mundshme fillestare të politikës së jashtme, si dhe vlerësime të kandidatëve për poste në administratën e re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA