Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini vazhdon të hënën traditën e takimeve joformale me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shefja e diplomacisë së bllokut dëshiron të flasë këtë herë mbi shkëmbimin e ideve mes krerëve dhe konsultimet me BE-në për vazhdimin sa më të shpejtë të rrugës së integrimit.

“Mogherini, – thotë Deutsche Welle, – i mbetet në këtë mënyrë besnike përkushtimit të saj, që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë hapa të shpejtë dhe të pakthyeshëm në drejtim të afrimit me BE-në”.

Mbështetja pa rezerva e bërë Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit të BE-së nga Mogherini është përkrahur zyrtarisht edhe nga institucionet dhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të BE-së.

Këshilli Europian deklaroi në mars se “dyert e BE-së mbeten të hapura” dhe ka premtuar mbështetje në këtë rrugë, ndërsa kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e cilësoi këtë si një prej temave më të rëndësishme për Bashkimin Europian në të ardhmen, gjatë fjalimit të vet mbi zgjerimin e bllokut.

Krahas rezultateve gjatë këtij viti, në darkën e përbashkët do të flitet edhe për hapat që vendet e rajonit duhet të bëjnë gjatë vitit 2018.

“Viti i ardhshëm do të jetë vendimtar”, pohon drejtori i Drejtorisë së KE-së për Negociatat dhe Zgjerimin, Christian Danielson.

“Komisioni Europian po punon mbi strategjinë për një perspektivë të qëndrueshme për zgjerimin dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, e cila do të prezantohet në shkurt të vitit 2018, – shtoi ai, – e në prill do të kemi një paketë të re për zgjerimin, ku do të qartësohet se ku gjenden vendet që pretendojnë të anëtarësohen në BE”.

Jo zyrtarisht mësohet se KE-ja do të prezantojë në Bruksel një dokument me afate të sakta kohore për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, përkatësisht viti 2025, ku do të parashikohet gjithashtu intensifikimi i negociatave për aderimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, nëse Tirana i realizon 5 reformat me prioritet dhe Shkupi zgjidh ngërçin e emrit me Greqinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA