Boris Johnson nguli këmbë se Britania nuk duhet të shndërrohet në një shtet vasal të BE, duke u detyruar që të pranojë rregulloret e unionit.
Komentet e ministrit të Jashtëm britanik u bënë para një takimi kritik të kabinetit ku do të diskutohet se si qeveria do të kryejë bisedimet për Brexit.
Qeveria britanike do të mblidhet të martën për diskutimin e parë thelbësor për objektivat e fazës së radhës së bisedimeve, ndërsa Theresa May theksoi se nuk do të ketë devijime nga rruga drejt Brexit.
Kryeministrja britanike, në artikuj të publikuar në media, shkruan se pavarësisht zhurmës, qeveria po bën punën. Sipas May, ajo dhe kabineti po sigurojnë marrëveshjen më të mirë për Mbretërinë e Bashkuar. Por ndërsa kabineti është i ndarë se sa afër politikave të BE duhet të jetë Britania, ministri Johnson u shkëput nga të tjerët dhe nguli këmbë se qeveria duhet të ruajë lirinë e ligjeve të saj.
“Na duhet një qasje ambicioze dhe e re që lejon tarifa zero dhe tregti pa probleme, por që na jep lirinë të vendosëm rregullat dhe ligjet tona në të ardhmen. Nëse kopjojmë rregullat europiane, çfarë kuptimi ka Brexit? Nga një shtet anëtarë do ët jemi bërë shtet vasal”, deklaroi Johnson.
Ministri i Jashtëm pranoi se e drejta për rregullore të ndryshme nga BE, do të sjellë pasoja për tregtinë gjatë negociata me Brukseli, por shtoi se kjo ja vlen për tu bërë një lider i tregtisë së lirë dhe për të bërë tregti me të gjithë botën.
Top Channel