Me dhjetëra mijëra persona u janë bashkuar familjeve europiane mbretërore për të përcjellë në banesën e fundit Mbretin e Rumanisë, Mihai i Parë, të cilit i është organizuar një funeral mbretëror këtë të diel.

Mihai i Parë, drejtoi dy herë Rumaninë, nga 20 korriku 1927 deri më 8 qershor 1930 dhe sërish nga 6 shtatori 1940 deri kur u detyrua të abdikojë nga komunistët në 1947-ën. Ai ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare më 5 dhjetor në Zvicër.

Por Mbreti Mihai ka hyrë në historinë botërore edhe si një prej personave me influencë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ka shpëtuar jetën e mijëra hebrenjve me ndërhyrjen e tij.

Mbi 250 mijë hebrenj u internuan e u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por falë ndërhyrjes së Mbretit Mihai, i cili veproi edhe kundër kryeministrit të vendosur nga nazistët, Ion Antonesc, afro 300 mijë hebrenj u shpëtuan në Rumani.

Presioni që ai dhe mamaja e tij bënë ndaj Antonescut, pati efekte pozitive, kur në vitet 1943-1944 mijëra hebrenj që ishin vendosur për t’u deportuar në kampet naziste u lejuan të shkonin në shtëpi.

Ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja e madhe e familjeve të tjera mbretërore europiane, por edhe nga shtete të tjera, mes të cilëve Princi britanik, Charles, Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf i shoqëruar nga Mbretëresha Silvia, si dhe ish-mbreti i Spanjës, Carlos dhe mbretëresha Sofia.

Peshkopët shpërndanë temjan në katedralen ku Mihai u kurorëzua për herë të dytë më 6 shtator të 1940-s.

Mihai, i cili ishte nipi i madh i Mbretëreshës Victoria, u bë mbreti në moshën 5-vjeçare pasi babai i tij Carol II u arratis me të dashurën dhe hoqi dorë nga froni.

Me mijëra rumunë u mblodhën për t’i bërë homazhet Mbretit të tyre të fundit, duke e përcjellë me lot në sy për në banesën e fundit. Trupi i mbretit Mihai do të varroset pranë gruas së tij Anne de Bourbon-Parme, e cila vdiq vitin e kaluar.

FOTO GALERI
1/19

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA