Pique: Largimi i Neymar dëmtoi Barçën. Pep, trajneri më i mirë

16/12/2017 15:23

Largimi i Neymar nga Barcelona te Paris St. Germain nuk harrohet lehtë nga futbollistët e skuadrës katalanase.

Gerard Pique është ai që i është kthyer kësaj teme në një intervistë për të përditshmen britanike “The Telegraph”, duke pranuar se skuadra u dëmtua nga largimi i brazilianit.

“Me Neymar kam një raport të shkëlqyer, por largimi i tij e dëmtoi klubin. Unë u përpoqa të isha i drejtë dhe i ndershëm me të, por si tifoz i Barcelonës mund të them se na lëndoi ky largim i tij. Kështu që mund t’i kuptoj të gjithë mbështetësit tanë, që kanë mbetur të zhgënjyer për mënyrën sesi u bë transferimi i tij. Neymar do të fitojë Topin e Artë dhe për këtë arsye shkoi te PSG, ku është ylli i skuadrës. Nëse bën mirë në kampionat e në Champions League, i ka vërtet mundësitë”, tha Pique.

Pique foli edhe për trajnerët me të cilët ka punuar, duke vlerësuar me notat më të larta Pep Guardiolën. Sipas tij, Guardiola është një ndër trajnerët më të mirë në botë dhe këtë ai po e tregon edhe te Manchester City, ku po thyen çdo rekord të mundshëm.

Top Channel